
Vazhdojnë testimet në Hidrocentralin e Moglicës
Fillimi i vitit 2020 ka përkuar me fillimin e fazës së testimeve në Hidrocentralin e Moglicës, HEC-i më i madh i Projektit Hidroenergjetik të Devollit, investim i kompanisë norvegjeze Statkraft.
Pas disa vitesh në fazë zhvillimi dhe ndërtimi, gjatë vitit 2019 u mbyllen punimet kryesore dhe filloi mbushja e rezervuarit të Moglicës.
Gjatë këtyre muajve janë realizuar një mori testesh për të kolauduar dhe përgatitur për të vënë në funksion veprën më të madhe hidroenergjetike private në Shqipëri. Testet realizohen nga kompani të specializuara në koordinim edhe me strukturat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në kuadër të fazës së testimeve, më datë 12.04.2020 është realizuar edhe testimi i portave të shkarkuesit të sipërm të digës, i cili ka rezultuar me sukses. Operimet e plota tregtare të HEC Moglicë planifikohen të jenë në tremujorin e dytë të 2020-ës, me gjithë vështirësitë shtesë të hasura si pasojë e pandemisë nga Covid-19.